Ballkani ka arkëtuar pikë të plota përballë Llapit (1-0) në ndeshjen e xhiros së 31-të në Superligën e Kosovës në futboll që u zhvillua në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.
Nikoqirët e nisën më mirë sfidën duke rrezikuar përmes Meriton Korenicës dhe Blend Baftiut, ndërsa e zhbllokuan rezultatin pas gjysmë ore lojë.
Një harkim të Armend Thaqit e shfrytëzoi Blend Baftiu për ta shënuar golin e epërsisë.
Edhe në gjysmën e dytë, lojtarët vendas ishin më kërkues, megjithëse nuk u shënuan gola të tjerë.
Me këtë fitore, Ballkani është ngritur në kuotën e 67 pikëve dhe ndodhet në krye të tabelës me dy pikë më shumë se përcjellësi i parë, Drita.
Llapi, në anën tjetër, numëron 39 pikë dhe gjendet në vend të pestë, me gjashtë pikë larg zonës së rrezikut për rënie nga elita. /Telegrafi/