Me fitoren e arritur sot (e shtunë) ndaj Llapit në Podujevë, Ballkani u kurorëzua me titull të kampionit në Superligën e Kosovës një xhiro para përfundimit të kampionatit.
Në një sezon me ulje ngritje për ekipin e Ilir Dajës, që në një fazë të caktuar të sezonit vuajtën mungesën e disa lojtarëve kryesor për shkak të lëndimeve, ata përsëri arritën që ta mbrojnë titullin kampion.
Pas javës së 35-të në elitën e futbollit kosovar, Ballkani numëron 75 pikë duke lënë prapa vetes Llapin me 68 pikë dhe Dritën me 66 sosh.
Suharekasit tani kanë mundësinë që të thyejnë rekordin e tyre personal, sa i përket numrit të pikëve të arkëtuara në kampionat.
Në rast fitoreje ndaj Prishtinës në xhiron e fundit në Suharekë, Ballkani do ta përfundonte kampionatin me 78 pikë të tubuara, duke thyer kështu rekordin e sezonit 2021/2022 atëherë kur u shpallën për herë të parë kampion të Kosovës me 76 pikë.
Njëri ndër më meritorët për këtë sukses të Ballkanit ishte Nazmi Gripshi që këtë edicion shkëlqeu me 14 gola të shënuar, i cili u ndihmua nga Albin Berisha që shënoi tetë gola dhe tani aktivizohet në Rumani tek Petroluli.
Përveç fazës ofanzive me 60 gola, më së shumti deri tani në këtë edicion, Ballkani shkëlqeu edhe në fazën defanzive duke regjistruar shifrën më të ulët të golave të pranuar këtë edicion në Superligën e Kosovës (25 gola).
Kjo statistikë tregon formën e lartë që ka shfaqur këtë edicion portieri Enea Koliçi i cili arriti ta mbajë portën e paprekur në 14 ndeshje të luajtura këtë sezon, natyrisht pa lënë anash formën e lartë që treguan edhe mbrojtësit si Lumbardh Dellova, Lorenc Trashi, Armend Thaqi, Bajram Jashanica, Gentrit Halili e Arbër Potoku.
Para se të zhvillojnë ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Prishtinës, Ballkani do të përballet fillimisht me kryeqytetasit të mërkurën në kuadër të finales së Kupës së Kosovës, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Drenas me fillim nga ora 15:00./Telegrafi/