Telegrafi

Ballkani dhe Shkupi përballen në ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen më të rëndësishme në historinë e dy klubeve

Ballkani është nikoqir i Shkupit në ndeshjen e kthimit të ‘Play-Off’-it në Ligën e Konferencës.

Dy skuadrat shqiptare do ta zhvillojnë duelin e tyre më të rëndësishëm në histori, pasi fitorja do të thotë kualifikim në grupet e një gare evropiane që më parë nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Suharekasit kanë përparësinë e terrenit vendas, por edhe të fitores nga ndeshja e parë me rezultat 2-1.

Albion Rrahmani dhe Meriton Korenica realizuan golat për Ballkanin në ndeshjen e parë, derisa Adetunji ishte realizuesi i vetëm për Shkupin.

Dueli mes dy skuadrave shqiptare zhvillohet me fillim nga ora 20:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë që pritet të jetë i stërmbushur.

Tanimë nuk ka mbetur asnjë biletë në shitje për këtë sfidë, derisa një numër i konsiderueshëm i tifozëve shqiptarë nga Shkupi pritet të jenë prezent.

Si Ballkani ashtu edhe Shkupi kurrë më parë nuk kanë qenë në grupe të një gare evropiane dhe kjo konsiderohet si ndeshja më e rëndësishme në historinë e dy klubeve. /Telegrafi/