Zlatoje Martinov shkrimtar dhe kolumnist nga Novi Sadi në një kolumne plot fakte, botuar në Danasin e Novi Sadit shkruan konkretisht se kjo ide e Ramës, Vucicit dhe Zajevit mund të ju shërbej më së shumti për ndonjë votë në zgjedhjet eventuale të tyre.
Pa themel, kjo ide nuk mund të mbijetojë as si ide.
Fundi i fundit kjo nuk është ide e re por diçka e ngjashme që njihet moti. Të informuarit kanë njohuri për ketë punë dhe e dinë si kanë kaluar. Më mirë do të ishte të bisedohet seriozisht së pari për rregullimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë para se të ketë ndodhë ndonjë problem shumë më i rëndë të cilin e kanë ndërmend këta që e hodhën në skenë këtë ide të moçme mbi njëqind vjet.
A mund të mbijetojë “Open Ballkan”?
Derisa gjithë shtypi dhe mediat serbe të Beogradit godasin në të njëjtën vijë me Vuqiqin (dhe të gjitha pa asnjë përjashtim i ka në dorë), natyrisht edhe i financon nga buxheti i shtetit të cilin e menaxhon vet, gazeta e vetme deri diku e pavarur e Novi Sadit “Danas”, herë pas here sjellë ndonjë mendim ndryshe për zhvillimet në Serbi.
Shkrimtari dhe kolumnisti i “Danasit” Zlatoje Martinov, në një kolumne të fundit shkruan se “Ballkan Open” pa Kosovën është utopi. Ideja për një Ballkan të hapur e të qetë ekziston moti, por për ta penguar atë janë kujdesur, jo vetëm nacionalistet e ndryshëm këtu në Ballkan por edhe shtetet e mëdha që përpiqen ta ruajnë ndikimin e tyre në këtë pjesë të Evropës.
Se paku, gjurmë për paqe të qëndrueshme në Ballkan gjejmë që nga themelimi i Partisë Socialdemokrate serbe dhe nga idetë e Svetzar Markoviqit, Dimitrije Tucoviqit, Kosta Novakoviqit etj, thotë Martinov.
Me kalimin e viteve, në vend të shtimit të numrit të atyre që do sillnin paqe në Ballkan, kjo ide u pengua me të gjitha mënyrat me të këqija të cilat u thyen mbi kurrizin e popujve të vendeve të Ballkanit thuaja në masë të njëjtë. Pas largimit të Perandorisë Osmane, fill në vitin 1912 sidomos kleri ortodoks serb ia vuri flakën Ballkanit, krejt me synim të pushtimit dhe zgjerimit të territoreve të shtetit të vet nacional, të cilin pretendonte ta formojë qoftë edhe me pastrim etnik, që tashmë e kemi parë të gjithë. Se çka bëri Serbia kundër shqiptarëve që nga viti 1912 dihet. Po nuk dihet kurrë sa shqiptarë i zhduku pa gjurmë përgjithmonë edhe në luftën e fundit.
Ideja “Ballkan Open” (Ballkani i hapur) është përmend konkretisht 100 vjet me radhë. Është përmendur konkretisht edhe nga simboli i qëndresës shqiptare Adem Demaçi. Projekti i tij ‘Ballkania’ u godit nga të gjitha anët gati pa e lexuar askush. Në disa intervista edhe shqip edhe serbisht, Adem Demaçi ka fol për këtë projekt-ide por në pikëpamje të përgjithësuar duke theksuar se paraprakisht duhet të krijohej ambient për të shtruar idenë.
Sipas Zlatoje Martinovit, kjo ide mbetet utopi përderisa nuk përfshihet edhe Kosova që sot është shtet i pavarur. Sado që pushteti serb manipulon popullin e vet në të gjitha mënyrat, Kosova tash e 22 vjet nuk është nën administrimin serb, përveç në kokat e atyre që jetojnë në skenën politike me këso manipulimesh.
Këtë ide nuk e pranon askush nga shtetet relevante të Evropës.
Rama, Vuçiq e Zajev këtë marketing e kanë bërë vetëm për llogari të tyre elektorale dhe asgjë tjetër, thotë Martinov. Për ta realizuar këtë ide ajo duhet të përfshijë faktorët relevant siç është në ketë rast Shteti i Kosovës. Sado gjatë që e shtynë Serbia njohjen e fakteve, asgjë nuk do të përmirësohet, por vetëm sa do të ashpërsohen gjërat në terren.
Kjo ide që njihet moti me logon: “Ballkani -ballkanasve”, për derisa të ketë konflikte interesash të superfuqive si dikur Austrisë e Rusisë, pastaj Anglisë e Francës, Gjermanisë e Italisë dhe gjatë luftës së ftoftë mes lindjes dhe perëndimit, apo sot mes BE-së dhe Rusisë së Putinit, Ballkani mund të shndërrohet në vatër zjarri apo fuqi baroti që mund të eksplodoj në çdo çast. Më së shumti, në të gjitha rastet kanë pësuar dhe pësojnë vetëm popujt e Ballkanit.
Në rastin e Serbisë karshi Kosovës, nuk mund të bëhet fjalë a do apo jo Serbia ta pranojë ndarjen e Kosovës prej saj.
Kosova është ndarë “de jure” e “de fakto” nga sistemi juridiko-kushtetues, atëherë i të ashtuquajturës RFJ. Serbia moti nuk ka kurrfarë juridiksioni në Kosovë, i pëlqeu dikujt kjo apo jo thotë Zlatoje Martinov.
Asnjë “Mini shengen, asnjë fshirje kufijsh për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave nuk janë të mundshme pa zgjidhjen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Nuk është e thënë që Serbia me Kosovën të ketë marrëdhënie vëllazërore, por duhet ta respektoj atë.
Meqenëse deri në këtë kohë, nuk ka pasur një regjistrim të saktë të popullsisë, edhe pse në shumë media të kohës, (vendore e ndërkombëtare) janë publikuar shifra të ndryshme për të vrarët e të zhdukurit shqiptarë. Veçanërisht pati një vërsulje me primesa gjenocidi, mbi popullatën e besimit islam, që në ketë rast ishin shqiptarët dhe boshnjakët.
Vërsulja ortodokse mbi ta u bë me plan dhe krejt kinse në emër të hakmarrjes ndaj turqve që ishin tërhequr pas 500 vjet sundimi.
Asnjë komision ndërkombëtar nuk ka arritur me kohë në vendin e ngjarjes, e aq më pak të numërojë të masakruarit nga ushtria dhe paramilitarët serb.
Ka shifra, ka gazeta që kanë shkruar nga të katër anët, por nuk ka evidencë të saktë as për numrin e popullatës se caktuar në atë kohë, e as për të vrarët që në të shumtën e rasteve të gjallë apo të vdekur nuk kanë qenë të regjistruar kurrë nga askush dhe në asnjë regjistër.
Pati raste nëpër viset e largëta malore, kur jetonin shqiptarët e boshnjakët, ata u vranë dhe kufomat e tyre nuk i pa askush asnjëherë. Vrasësit ashtu kishin bërë planin. Këtë e dëshmon edhe fakti se edhe sot e gjithë ditën serbët manipulojnë me numrin e kombësive tjera që sot jetojnë në Serbi, por të cilët nuk i regjistrojnë kurrë as për ndonjë statistikë, krejt për të manipuluar me ta në çdo rast.
Kështu bëri Serbia për 90 vjet me shqiptar. Me të paregjistruarit nuk është marr askush asnjëherë, dhe ata nuk ishin as nuk janë pak edhe sot. Shtypi i huaj edhe sot shkruan se si shumë pjesëtarë të pakicave etnike në Serbi nuk janë të regjistruar askund, as me emër e as me pronë dhe pushteti serb manipulon me ta sa herë i duhet.