Ka rezultuar e kotë kërkesa e kryesisë së Shkëndijës për të lejuar praninë e tifozëve në takimin me Vardarin, transmeton Telegrafi Maqedoni.
MPB dhe FFM kanë vendosur që ndeshja në mes Shkëndijes dhe Vardarit të zhvillohet pa praninë e mbështetësve të Shkëndijës në Shkup, me arsyetimiin e rrezikut të incidenteve të padëshiruara. Përveç grupeve të organizuara, ndalohet edhe udhëtimi privat i tifozëve.
Shkëndija të dielën do të jetë pa mbështetjen e publikut në sfidën me Vardarin në Shkup, në kuadër të xhiros së 27-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Kështu është vendosur pas mbledhjes së drejtuesve të Shkëndijës me kolegët e Vardarit, anëtarë të Federatës së Futbollit të Maqedonisë-së, Ministrisë për Punë të Brendshme dhe kompanisë së sigurimit të skuadrës shkupjane.
Kujtojmë se ky vendim sigurisht ka ardhur si rezultat i ngjarjes së hidhur që ndodhi në stadiumin e Çairit ku u përleshën dy tifozeritë shqiptare, ajo e Shkëndisë “Ballistët” dhe tifo grupi i Shkupit “Shvercerat”, gjatë ndeshjes Shkëndija- Sileksi. /Telegrafi/