Site icon Telegrafi

Ballafaqim i ashpër për Prishtinën në mes Shpend Ahmetit dhe Ismet Beqirit

(E plotësuar) Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti i VV-së dhe ish-kryetari Ismet Beqiri nga radhët e LDK-së, janë përballur në një duel televiziv, me akuza dhe kundërakuza, për keq-qeverisje, nepotizëm, punësime të paligjshme dhe korrupsion.

Gjatë debatit janë shkëmbyer akuza e kundërakuza, se cili ka përfituar më shumë nga posti i kryetarit të Prishtinës.

“Unë nuk kam dashur asnjëherë ta personalizojmë, por po vazhdojmë. Ti z.Ahmeti je pronar i ndërtimit pa leje (Shpend Ahmeti: po shpifni, keni kujdes për fjalë publike). Jeni i fundit që mund të flisni për LDK-në dhe rugovizmin, unë asnjëherë nuk jam zgjedhur përpos me vota. Të gjithë e dinë që keni votën nga PDK”, ka thënë Beqiri.

“Keni bërë koalicion me AAK-në, e keni thënë se nuk do të bëni me askënd. 46 mijë ndërtime pa leje, a e dini sa janë me leje? Kodra e Trimave është pothuajse 90% pa leje. Duhesh t’i ndash të Isa Mustafës e Ismet Beqirit. Nuk ka shans me qenë të gjitha tonat. Vitin 2014 i keni 92 me kontratë mbi vepër, edhe 2015 ka pasur rritje. Lëndët i keni çuar në Prokurori pa u kryer hetimet. Keni bërë memorandum bashkëpunimi dhe është shkelje e jo-ligjore, për projektin ‘Kodrinat'”, ka akuzuar Beqiri kryetarin aktual.

Nëse po thoni se nuk janë 46 mijë ndërtime pa leje, atëherë le të na tregojë Ismeti se në kohën e tij si kryetar sa ndërtime janë ndërtuar?”, ka pyetur Ahmeti.

“A ka ardhur shefi i inspeksionit me te tregu se është duke u ndërtuar një objekt pa leje. Dhe çfarë keni bërë? A e keni pyetur shefin tuaj të inspeksionit se është rrënuar ai ndërtim pa leje?”

“Në qytet me u ndërtuar 49 ndërtime pa leje, dhe unë mos me e ditë dhe shefi inspeksionit mos me marrë masa është e pamundshme! Shefi i inspeksionit në kohën e LDK-së ka pasur rrogë 400 euro e ka vozitur veturë 400 mijë euro!

A mundet Ismet Beqiri me na tregu si është e mundur që banesën 120 metra katror e ke ble për 10 mijë euro”, ka pyetur Ahmeti.

Ndërsa, Beqiri ka pyetur Ahmetin “Çka po bën ti në Prishtinë, që të mbahesh mend?

“Prej kur ka ardhur në Komunë, po merresh me banesën tënde. Unë, për dallim nga ti, kam bërë diçka për këtë vend. Ndoshta edhe ti ke bërë, por unë më shumë.

Shpend vendimi për shfrytëzim të banesës sime, ka nënshkruar Kuvendi Komunal dhe jo unë. Ligji për shitjen e banesave, nga ky ligj kanë përfituar shumë familje edhe nga KEK-u e të tjerët. Ligji është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, përpos serbëve, kanë votuar të gjitha partitë politike. Çmimi është përcaktuar në këtë ligj, çdo gjë është ligjore”.

“Kur kam qenë unë, shumë familjeve i kemi dhënë banesa në shfrytëzim: Zahir Pajaziti, 10 këshilltarëve komunal, Adem Jashari, Sali Çekaj e të tjerë kanë marrë banesë. Sa i përket memorandumit (“Kodrinat”), ti nuk ke shpallë ofertë sepse ka mundur t’i bien edhe dikush tjetër 100 pronarë. Ja ke humbur të drejtën të tjerëve, se edhe dikush tjetër ka mundur ta bëj atë”, tha Beqiri.

Ahmeti i tha Beqirit se banesën ia ka ndarë vetes me konflikt interesi.

“Po të mos kishe qenë kryetar nuk do ta kishe marrë kurrë atë banesë. I keni nda edhe për disa këshilltarë komunalë për të neutralizuar këtë proces.

Ju keni konflikt interesi, sepse ju ja keni nda vetes banesën. Dhe ju nuk po e kuptoni që keni konflikt interesi. Babai im nuk ka qenë ai që i ka ndarë vetes banesë, por ia ka ndarë Teatri. Ndërsa ju i keni ndarë vetes. Juve ju kanë dhënë verdiktin qytetarët, sepse kanë votuar për t’iu ndryshuar”, tha Ahmeti.


Është mirë që të kemi debate të tilla sa më shpesh. Madje do të ishte mirë që edhe z. Isa Mustafa dhe z. Hashim Thaçi të dalin ndonjëherë dhe të ballafaqohen me opozitën”, ka thënë Ahmeti në Rubikon të KTV-së.

“Situata në Prishtinë ka qenë në një kaos total urbanistik, ku kushdo ka ndërtuar ku ka dashur. Në shumë ndërmarrje publike ka pas familjarizëm”.

“Kemi dërguar 70 dosje në prokurori me dyshime për keqpërdorim të rreth 28 milionë euro, për 49 ndërtesa. a marrë parasysh se çka do të ndodh në zgjedhjet e ardhme, për një gjë jam i sigurt se asnjëherë më nuk do të kthehet situata që e kemi pasur situata që e kemi pasur para dy vitesh”, tha ai.

Ndërsa Beqiri tha se VV ka punësuar 300 persona me kontratë mbi vepër, kurse LDK në 13 vjet asnjë.

Është e pavërtetë që ka qenë vdekje klinike, ka shumë anë tjera që e bëjnë një qytet pa vdekje klinike. Në qeverisjen e LDK-së është bërë punë e madhe në Prishtinë, edhe tri mandate me ja dhënë VV-së nuk munden me kry. Ky (Shpend Ahmeti) është bërë kryetar me votat e PDK-së.

Fillimi i punës është bërë me etiketime dhe njollosje. Lëndët në prokurori i takojnë prokurorit e jo kryetarit të Komunës. Afër 300 me kontratë me vepër, e ne asnjë në të gjitha mandatet. 37 janë futur në Ndërmarrjen Publike Banesore’, tha Beqiri.

‘Ka instaluar një logjikë tjetër në kuptimin negativ. Shumë drejtorë nuk e njohin dhe nuk e duan Prishtinën. Ka pasur shumë më të mirë që të udhëheqin Arsimin e Infrastrukturën se sa dikush tjetër që nuk është nga Prishtina. Kryetarin e kanë votuar qytetarët e Prishtinës, e jo të tjerët.
Ky është kryetari i parë që udhëheq pa Kuvend Komunal.

Nuk e keni zgjidhur ujin, mos e përvetësoni zotri Ahmeti projektin e fabrikës së ujit. Autobusët e trafikut janë projekt i Qeverisë së Kosovës”, tha Beqiri.

“Ismeti po e ndajka votuesin me parti. Ata janë prishtinas, e nuk ndahen në votues të PDK-së, LDK-së apo Vetëvendosjes. Mustafës i janë zvogëluar votat nga rundi i parë në rundin e dytë. Dhe, unë nuk i ndajë votuesit në aso të PDK-së a LDK-së”, tha Ahmeti, duke thënë se LDK është bërë parti patericë.

“Ia keni dhënë tenderin e kuzhinës për çerdhe Beni Donës, sepse është financues i LDK-së. Prej vitit 1999 – 2013 LDK-ja ka lejuar 46 mijë ndërtime pa leje. Mos na e hapni gojën në disa sene që ju e dini se çfarë keni bërë. Vëllai juaj punon në Ndërmarrjen Publike Banesore”, tha Ahmeti.

Exit mobile version