Telegrafi

Balla: Të hetohem Basha për lidhje me grupin kriminal për eurot në Toyota

Taulant Balla iu rikthye sërish akuzave të Lulzim Bashës ndaj tij se garantoi hyrjen e eurove në Shqipëri, duke u hedhur në sulm tashmë dhe akuzuar kreun e PD për lidhje me grupin kriminal.

Balla mohoi kategorikisht lidhjet me këtë ngjarje, duke thënë se është i gatshëm t’i bëhet gjyqi në sheshin “Skënderbej” në rast se i gjendet edhe lidhja më e vogël.

“Falenderoj policinë. Një institucion ligjzbatues thotë se ka pasur rrjedhje informacioni nga Lulzim Basha, një person i papërgjegjshëm, i cili vuri në diskutim operacionin, por shyqyr që këtë nuk e marrin seriozisht. Taulant Balla nuk ka asnjë lidhje, iu garantoj me përgjegjësi penale. Të më bëhet gjyqi në sheshin “Skënderbej” nëse kam edhe lidhjen më të vogël”, tha Balla.

Më tej, deputeti socialist u shpreh se është Lulzim Basha ai që ka lidhje me personat e përfshirë në këtë çështje.

“I them Bashës, që në fund të kësaj historie, ai i ka ca lidhje me personat e lidhur me këtë çështje, por nuk do i them sot, por të enjten”, tha Balla.

Në fund, Balla tha se Basha këtë herë nuk do ia hedhë paq. /Telegrafi/