Telegrafi

Balla pas takimit me Abdixhikun: Është momenti qe të flasim për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Partia Socialiste e konsideron të padrejtë mos liberalizimin e vizave për Kosovën. Shefi i deputetëve socialistë në Shqipëri, Taulant Balla ka deklaruar se mbështesin rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.

Këto deklarata Balla i bëri pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili sot qëndroi në Tiranë.

Ky i fundit tha se në këtë takim morën mbështetjen për ngritjen e monumentit të ish- presidenti, Ibrahim Rugova.

“Bashkëpunimi ynë në nivel parlamenti është në nivele krejtësisht të reja. Grupi ynë parlamentar është i interesuar, do ta ngrisim nivelin partiak. Sot në jemi në Tiranë dhe për LDK-në relacionet Kosovë-Shqipëri janë esenciale për zhvillimet e mëtutjeshme. Ne presim shumë nga Shqipëria. Në rrethanat e reja gjeopolitikë në Evropë, bashkëpunimi shqiptar është esencial. Morëm mbështetje nga PS për krijimin e një monumenti të Ibrahim Rugovës në Tiranë”, ka thënë ai, njofton Kosovapress.

Për ngritjen e një monumenti të Ibrahim Rugovës, ka folur edhe kryetari i GP të PS, Taulant Balla. Për këtë ai shtoi se do të dërgojnë kërkesë edhe në Bashkinë e Tiranës.

Ai tha se gjatë gjithë viteve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë pjesë në orientimin euroatlantik të Kosovës.

“Për mua ai kryetar i shumicës parlamentare është e rëndësishme lidhja e marrëdhënieve me LDK-në dhe parlamentin e Kosovës. Ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet, duke mos harruar se Kosova dhe Shqipëria janë dy vendeve fqinje. Është momenti qe të flasim për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Është e pashpjegueshme që Kosova qe katër vjet ka përmbushur të gjitha kriteret për të hequr liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë Balla.