Telegrafi

Balla: Opozita po sulmon institucionet e reja të drejtësisë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, theksoi gjatë një interviste televizive se partitë opozitare kërkojnë që të pengojnë ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe rrugëtimit evropian të Shqipërisë.

“Halli i opozitës është reforma në drejtësi. Halli i tyre është krejtësisht i ndryshëm nga halli i shqiptarëve dhe këta politikanë të korruptuar të cilët mundohet t’i vendosin pengesa ecjes përpara të Shqipërisë në rrugën evropiane, apo reformës në drejtësi nuk kanë për t’ia dalë dot. Opozita ka sulmuar institucionet e reja të drejtësisë që po lindin, duke sulmuar KLGj, KLP, KED dhe nuk ka asnjë dyshim që më shumë se 65% e shqiptarëve se gjithë kjo prirje e opozitës është për të penguar reformën në drejtësi. Përpjekja që po bëjnë për të destabilizuar vendin, bien ndesh me hapjen e bisedimeve për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Balla.

Në fjalën e tij Balla theksoi gjithashtu bindjen se shqiptarët do të dinë të vlerësojnë në zgjedhjet e 30 qershorit, duke sjellë si shembull punën e mirë të bërë nga bashkia e Tiranës krahasuar me atë të Shkodrës./Atsh/