Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, tha se grupet kriminale janë urdhëruar me SMS që të godasin policinë.
“Një grup politikanësh të korruptuar po tentojnë të bllokojnë rrugën e integrimit. Do të bëjmë realitet edhe vettingun në politikë! Me mesazh janë urdhëruar grupet kriminale që të godasin forcat e policisë”, tha Balla, raporton Ora News.
Ai gjithashtu e quajti kreun e PD-së, Lulzim Basha, huligan.
“Basha nuk ka të drejtë të flasë në emër të Partisë Demokratike. Nuk është e rastësishme që me 16 shkurt të ketë protestë edhe në Tiranë, Beograd dhe Podgoricë. Basha është një huligan që godet policinë”, deklaroi Balla.