Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka thënë se mbrëmë më 28 shtator është rrahur një 20-vjeçar në një koncert që u mbajt me rastin e Ditës së Boshnjakëve në Prizren.
Deputetja ka publikuar pamjet në rrjetin e saj social në Facebook, duke thënë se ai është sulmuar nga një person i sigurimit, transmeton Telegrafi.
“Ai është sulmuar fizikisht nga një person i kompanisë që ishte përgjegjëse për sigurinë. Në ditën që festuam, u shkelën të drejtat elementare që duhet të kishte çdo njeri. U bëj thirrje organeve kompetente që të merren seriozisht me këtë rast dhe të ndëshkojnë autorët, në mënyrë që i riu që përfundoi në spital për shkak të plagëve të marra dhe familjarët e tij të ndihen më të sigurt dhe raste të tilla të mos përsëriten më”, ka pohuar deputetja.
Tutje, ajo ka shkruar se askush nuk duhet t’i japë vetes të drejtën për diçka të tillë, duke ushtruar dhunë fizike./Telegrafi/