Duda Balje ka kritikuar qeverinë mbi aktivitetet e deritanishme në kuadër të përvjetorit të të zhdukurve.
Anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, deputetja Duda Balje, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë për të zhdukurit e luftës në Kosovë, duke shtuar se një çështje e tillë nuk po trajtohet si primare.
Balje ka reaguar pas reagimit të familjarëve të të zhdukurve gjatë fjalimit të aktivistes serbe, Natasha Kandiq.
Ajo ka theksuar se familjarët e viktimave nuk ishin të kënaqur me pjesëmarrjen e Kandiq dhe si rrjedhojë, ata kanë liruar sallën dhe kanë hyrë përsëri, pas përfundimit të fjalimit të saj.
“Zonja Natasha kurrë nuk ka qenë pjesë e politikës së Serbisë”, ka thënë Balje në një intervistë për RTV Dukagjini, gjersa ka shtuar se ajo ka mbrojtur viktimat e Kosoves edhe para gjyqtarëve serbë.
Megjithëse ishin të ftuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk morrën pjesë në këtë takim.
“Për presidenten kam pas disa thirrje mirëpo asnjë përgjigje”, ka thënë deputetja, duke shtuar se takimi përfshinte mbi 60 persona.
Balje shton se konfirimi i Natasha Kandiq për pjesëmarrjen në takimin e organizuar nga Komisioni, është konfirmuar brenda gjysëm ore pasi ka dërguar ftesën.
Natasha Kandiq është aktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare.
Ka qenë një ndër të rrallat në Beograd, që ka justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.
Ajo kishte mbështetur edhe pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008./Telegrafi/