Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka thënë se deklarata e kryeministrit Albin Kurti se do të përpiqet ta kalojë Kodin Civil, ku përfshihen martesat në mes të gjinisë së njëjtë është provokuese.
Balje tha se Kurti foli edhe për fe, edhe pse ai thotë se jemi shtet laik.
“Për mua personalisht, ka qenë deklaratë provokuese, asnjë fe nuk e lejon këtë. Kryeministri ka fol për fe, kur fola unë, ai ka thënë se nuk ke të drejtë, sepse jemi shtet laik”, tha Balje në “Debat Plus” të RTV Dukagjini.
Ajo tha se nuk do ta votojë Kodin Civil, nëse nuk hiqet neni për martesat në mes të gjinisë së njëjtë.
“Unë s’kam asgjë kundër tyre. Asnjë komunitet tjetër s’është specifiku si këta”, tha deputetja Balje.
Ndërsa, kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka thënë se neni për martesat mes gjinisë së njëjtë, duhet të hiqet nga projektligji i Kodit Civil.
Ai tha se i gjithë Kodi Civil është bërë peng i një paragrafi dhe se tentimi për ta miratuar atë nen është një agjendë popullsitë e pseudoliberale.
“Tërë ai kod civil është bërë peng i një paragrafi, kjo është një agjendë, pseudoliberale, majtiste e popullsitë. Po tentohet të shtyhet në Kuvend dhe e cila, nuk ka fuqi me kalu. Këtu është baza irrituese”, tha ai.
Sipas tij kalimi i këtij ligji nuk është kusht për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.