Policë të armatosur janë pozicionuar para dhomës së hotelit të Gareth Bale, pas një sërë sulmesh kundër familjarëve të të fejuarës së tij.
Vetura në pronësi të familjarëve të Emma Rhys-Jones janë dëmtuar, që besohet të jetë pasojë e një armiqësie me një bandë droge, pasi kushërira e të fejuarës së Bale, Epiphany Dring – një ish modele – është zhdukur me një çantë ku ndodheshin 300.000 funte para të thata, drogë dhe ora të shtrenjta që besohet në total të kenë qenë në vlerë prej një milion funtesh.
Sipas The Sun, tre policë të armatosur kanë qëndruar para derës së hotelit të anësorit të Real Madridit para ndeshjes në Gran Canaria, transmeton Telegrafi.
E fejuara e Bale është shumë e frikësuar se mos sulmohet edhe shtëpia e tyre në Uells, prandaj pritet që të angazhohen forca policore edhe atje.
Ndryshe, policia ka konfirmuar djegien e dy veturave në Flint (veri të Uellsit) të mërkurën që kanë qenë në pronësi të familjarëve të Rhys-Jones.
Një mashkull 22 vjeçar dhe një femër 54 vjeçare janë arrestuar me akuzat se i kanë kërcënuar me vrasje familjarët e të fejuarës së Bale. /Telegrafi/