Zero gola të shënuar dhe zero asistime. Kjo është përmbledhja e paraqitjeve të Gareth Bale pas turneut amerikan të Realit të Madridit.
Paraqitje të cilat nuk pëlqehen nga drejtuesit e klubit dhe nga tifozët. Gjatë turneut në Shtetet e Bashkuara, uellsiani nuk arriti të plotësonte mungesën e Cristiano Ronaldos.
Përkundrazi, në tre miqësoret e përfunduara pa fitore, Bale është vlerësuar me nota të ulëta, ndërsa nuk kanë munguar fërshëllimat nga tribunat.
Sulmuesi po e paguan shtrenjtë sezonin e kaluar, i cili ishte më i dobëti për Bale në futbollin profesionist. E gjithë kjo, në një kohë kur tifozët e Realit presin versionin më të mirë të lojtarit që deri më tani është investimi më i madh i klubit. Mediat spanjolle kanë përllogaritur edhe paraqitjet e lojtarit, prej zbarkimit të tij në Madrid, në vitin 2014. Në atë periudhë, Reali pagoi 101 milionë euro te Tottenhami.
Çdo gol i shënuar deri më tani nga Gareth Bale i ka kushtuar “Los Blancos” plot dy milionë euro. Sipas llogarive, Reali ka investuar çdo vit diçka më pak se 30 milionë euro për uellsianin. Shifra mjaft të larta, duke pasur parasysh paraqitjet e deri tanishme. Bazuar në 150 ndeshjet e luajtura nga Bale deri më tani, ai i ka kushtuar Realit të Madridit 12 mijë euro për çdo minutë aktivizimi në fushë. Sipas gazetës “AS”, “investimi për 28-vjeçarin e ka dëmtuar klubin, ashtu si transferimi në ‘Bernabeu’ e ka dëmtuar uellsianin në nivel psikologjik, pasi nuk ka arritur për asnjë moment të dalë nga hija e Cristiano Ronaldos. /SS/