Site icon Telegrafi

Bale është i lënduar dhe nuk do të luajë deri në tetor, Real Madridi nuk e nderon në njoftimin për largimin e tij

Vetëm pak kohë pasi që njoftuan se kanë arritur marrëveshje me Real Madrid për huazimin e futbollistit Gareth Bale, klubi i Tottenham ka dalë me komunikatën e radhës, duke njoftuar për lëndimin e futbollistit.

Përmes një komunikate zyrtar për media, klubi anglez njoftoi se Bale do të mungojë deri në fund të muajit tetor.

“Gareth është lënduar në gjurin e djathtë gjatë ndeshjeve të fundit me përfaqësuesen e Uellsit dhe kështu ai do të jetë në fazën rehabilituese deri në fund të muajit të ardhshëm”, thuhet në kumtesën e Tottenham.

 

Kjo kumtesë e Spurs nuk është pritur aspak mirë nga tifozët e këtij klubi, të cilët me padurim e kanë mirëpritur rikthimin e Bales në Londër.

Pas shtatë vitesh qëndrimi në Real Madrid ai vendosi të rikthehej te Tottenham, por vetëm si futbollist i huazuar.

Real Madrid në njoftimin e bërë e ka ‘goditur’ Gareth Balen, duke shkruar vetëm dy fjali e duke harruar trofetë e shumtë që i ka fituar, ndër ta edhe katër Liga të Kampionëve.

 

“Real Madrid CF dhe Tottenham Hotspur kanë rënë dakord për huazimin e Gareth Bale për sezonin e ardhshëm, deri më 30 qershor 2021”.

“Klubi ynë i uron fatin më të mirë lojtarit që është pjesë e një prej periudhave më të suksesshme të historisë sonë”, ka shkruar klubi mbretëror.

Në njoftimin për mbrojtësin Sergio Reguilon, klubi ka shkruar se lojtari ka pas angazhim të madh dhe sjellje shembullore.

Komunikata e Real Madridit për largimin e Bale

Reguilon luajti vetëm 22 ndeshje për Los Blancos, ndërsa Bale luajti më shumë se 250 ndeshje. /Telegrafi/

Exit mobile version