Gjykata Kushtetuese sot solli vendim për shfuqizimin e mekanizmit për barazi gjatë punësimit në sektorin publik – “balancuesin”. Prej atje thonë se “balancuesi” ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën, pasi i ka detyruar kandidatët për nëpunës administrativ të deklarojnë përkatësinë etnike, gjegjësisht ka cenuar të drejtën e garantuar me Kushtetutë për shprehje të lirë, ose mos-shprehje të përkatësisë etnike, shkruan Telegrafi Maqedoni.
“Gjykata Kushtetuese ka vendosur tashmë për çështje të tilla dhe në rastin nr.92/2023 më 28.02.2024, për shfuqizimin e dekretit nga Ligji për evidencë amë dhe mori qëndrim që përkatësia kombëtare është ndjenjë personale e qytetarët, dhe ai duhet të jetë i lirë të deklarojë përkatësinë etnike, ose të mos e deklarojë”, thonë nga Gjykata Kushtetuese pas vendimit të sotëm për “balancuesin”.
Ndaj vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese kanë reaguar edhe nga Qeveria edhe nga opozita. Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Halil Snopçe, tha se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ata do të propozojnë ligj të ri brenda pesë ose gjashtë javëve.
“Draftin e kemi, është gati. Mundemi ta propozojmë edhe sot por duam të bëjmë debat publik me profesionistë dhe ekspertë për t’i pasur parasysh edhe vërejtjet e tyre, të mos bëjmë ndonjë ngatërresë sepse është ligj i ndjeshëm dhe të mos ketë gabime. D.m.th. qëllimi është të përfshihen ekspertët dhe më pas të bëjmë propozimin. Nuk duam të bëjmë fushatë politike me këtë gjë, por ta zgjidhim problemin”, tha Halil Snopçe.
Ndërsa nga Fronti Europian, të cilët janë në opozitë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit. Sipas tyre, është e kotë të flitet për propozim të ri ligjor për përfaqësim të drejtë dhe adekuat kur nuk ka asgjë konkrete.
“Ajo që bëhet është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit. Këto çështje janë zgjidhur në të kaluarën dhe çdo përpjekje për t’u kthyer pas në të kaluarën do të ketë pasojat e tij dhe pakënaqësi nga qytetarët. Sa keni ndjekur, ligji (i ri) nuk ekziston, është akoma në ajër dhe mendoj që është shumë papjekuri dhe joserioze të bisedohet për një zgjidhje që nuk ekziston akoma dhe të ndërpritet një mekanizëm që ka funksionuar por normal ka pasur edhe dobësitë e veta”, u shpreh Arbana Pasholli nga Fronti Evropian.
Ndërsa nga Ministria e Administratës, që udhëhiqet nga kuadër i OBRM-PDUKM-së, thonë se duhet të punojnë për zgjidhje që do t’i japë formë ligjore parimit për përfaqësim të drejtë gjatë punësimeve. Ministri Stefan Andonovski, tha se përgjegjësia për barazi duhet të jetë tek institucionet përkatëse.
“Kompetencën kryesore e ka Ministria për Administratë dhe në periudhën e ardhshme shpresoj se do të punojnë në dhënien formë juridike të vlerës themelore kushtetuese, përfaqësim i drejtë etnik të të gjithë bashkësive etnike. Ai parim kushtetues është i rëndësishëm dhe duhet të respektohet por duhet të gjendet mënyrë që ai të mos jetë në konflikt me cilësinë dhe aftësinë dhe me manipulimet e sistemit. Unë do ua them mendimin tim personal, sepse kam menduar për këtë çështje si jurist. Secili institucion duhet të bëjë kujdes që të ketë përfaqësim të drejtë etnik dhe ky të jetë detyrim i udhëheqësit të institucionit”, tha Stefan Andonovski, ministër për Transformim Dixhital.
Ndryshe, “balancuesi” është pjesë e ndryshimeve kushtetuese të miratuara në vitin 2002 pas konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, i cili ka paraparë që 30 përqind e punësimeve në institucionet publike t’u takojnë shqiptarëve. Ky instrument ka arritur të përmirësojë përfaqësimin e shqiptarëve në organet shtetërore, të cilët deri para aplikimit të tij ishin shumë pak të punësuar në institucione./Telegrafi/