Telegrafi

Balaj shënon dy herë për Terekun, por në fund ndëshkohet me të kuq

Bekim Balaj ishte protagonisti i Terek Groznit në fitoren 3-1 ndaj Brnos në miqësoren e luajtur sot në Turqi, ku ekipi rus po kryen përgatitjet e dimrit.

Sulmuesi i Kombëtares, i futur në pjesën e dytë sikurse Odise Roshi e Bernard Berisha, shënoi dy gola dhe më pas u ndëshkua me karton të kuq në fundin e lojës.

Ishin çekët ata që kaluan në epërsi në minutën e 26-të, ndërsa skuadra nga Çeçenia baraspeshoi në të 35-n me senegalezin Mbengue.

Pas pushimit, trajneri i Terekut, Rashid Rakhimov, hodhi në fushë një formacion krejt tjetër dhe loja foli në favor të rusëve.

Balaj e çoi rezultatin në 2-1 në minutën e 50-të dhe vulosi suksesin e ekipit të tij në të 62-n, para se të përjashtohej me karton të kuq direkt në shtesë (91’).