Telegrafi

Balaj: Bordet politike e kanë dëmtuar Telekomin

Kryetar i Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj ka thënë se janë bordet politike ato që e kanë dëmtuar Telekomin e Kosovës, duke shtuar se kjo ndërmarrje nuk është duke falimentuar, edhe pse sipas tij shumë do të donin që të shihnin falimentimin e saj.

Balaj tha se ndërmarrja publike e cila po përballet me vështirësi tani, nuk është duke falimentuar.

“Në vazhdimësi bordet kanë qenë të emëruara nga Qeveritë e Kosovës. Edhe sot ato borde vijnë ashtu, nënshkrimet e kontratave janë bë të dëmshme, tu fillu prej kontratës së Z-Mobile nga ish-shefat ekzekutiv të Telekomit, që e dimë edhe qysh kanë ardhur në Telekom. Bordet ish dashur t’i monitorojnë kontratat, sepse pa lejen e tyre nuk ka mundur me i nënshkrua. Njësia për monitorim të ndërmarrjeve publike ka qenë puna e saj nën zero. Sigurisht bordet kanë qenë në vazhdimësi borde politike dhe e kanë pas një ndikim në nënshkrimin e kontratave të dëmshme”, tha Balaj në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Lamih Balaj – Kryetar i Sindikatës së Telekomit të Kosovës

“Nuk po falimenton Telekomi. Kënaqësia e shumëve është me falimentuar, por jo. Shumë ja kanë mësy, qe një kohë të gjatë janë mundu me e falimentuar Telekomin, por nuk ka shana sepse është një gjigant. Unë po e them edhe sot se në vazhdimësi e kam thënë, të dhënat zyrtare që i kam marrë nga Ministria e Zhvillimit ekonomik, që mbi 600 milionë  Telekomi i ka dhanë dividendë Qeverive të Republikës së Kosovës. Është gjendje e keqe, janë rënie në Telekom, kontratat e këqija që janë bërë. Deri te kjo që ka ardh te përmbaruesi që sot i ka tërhequr nga xhirollogaria të gjitha paratë. Diku rreth 3.5 milionë kanë qenë në xhirollogari. Besoj që është përgjegjësi e Qeverisë së Republikës së Kosovës, duhet me marr përgjegjësinë për atë që po ndodh në Telekom. Nuk janë fajtor punëtorët, por Qeveria, dhe kur them Qeveria nuk e kam fjalën për këtë apo të kaluarën, por bordet kanë ardhur nga Qeveritë në vazhdimësi”, tha Balaj. /Telegrafi/