Elita në pushtet në Azerbajxhan ka operuar me një fond sekret prej 2.8 miliardë dollarëve amerikanë, për t’i paguar politikanët evropianë dhe për blerje luksoze, thuhet në një raport të publikuar dje.
Mijëra pagesa të dyshuara ishin kanalizuar nëpërmjet katër kompanive në Britani për politikanët evropianë dhe njerëzit e tjerë, që kishin kryer favore për qeverinë e Azerbajxhanit në Baku, megjithëqë ata që i kanë pranuar këto para ndoshta nuk kanë qenë të vetëdijshëm se prej nga janë bërë këto pagesa, theksohet në raportin e përgatitur nga një asociacion i gazetave evropiane, që është publikuar nga Projekti për raportimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit (OCCRP).
Fondi sekret ishte operacional për dy vite, deri në vitin 2014, raportojnë rrjeti BBC dhe e përditshmja londineze, The Guardian.
Prejardhja e parave ishte e paqartë, por ekzistonte “dëshmi e mjaftueshme për lidhjen e tyre me familjen e presidentit, Ilham Aliyev”, shkruan në raport.
Nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga presidenti Aliyev ose qeveria e Azerbajxhanit. /Rel/