Telegrafi

Bakteret nuk mund ta përshpejtojnë vdekjen

Biologët nga ky University of Southern California, pohuan se mund të jetohet pa praninë e baktereve, mirëpo kjo s’do të bënte mirë. Ky pohim është bazuar në hulumtimin e bërë në mizat e frutave, sipas të cilit mizat e pastruara nga bakteret nuk jetuan më gjatë se ato me baktere.

Ky zbulim sfidon njohuritë e mëparshme se madje bakteret më pak të dëmshme, si dhe përgjigjja imune që shkaktojnë, harxhojnë energjinë nga organizmi i nikoqirit dhe përshpejtojnë vdekjen e tij. Si duket ka qenë dogmë mendimi se, nëse organizmi do të harxhonte energji për të bërë diçka, kjo do t’ia shkurtonte jetën.

Grupi studiues bëri krahasim ndërmjet mizave të zakonshme të frutave dhe atyre të mbajtura në ambient aksenik (pa baktere). Befasia ishte se mizat e rritura në kushte aksenike dhe ato në kushte normale patën të njëjtën jetëgjatësi.

Eksperimenti nuk mund të përsëritet në organizma më të lartë, të cilëve u nevojiten bakteret për tretje dhe funksione të tjera. Megjithatë rezultatet te mizat mund të jenë relevante edhe për hulumtime rreth plakjes së njerëzve.

Duhet pasur parasysh se numri i baktereve rritet me moshën. Përgjigja imune ndaj baktereve është e ngjashme si te njerëzit edhe te mizat dhe dobësohet me kalimin e kohës. Studimi, pra, sugjeron se këta faktorë nuk kanë lidhje me plakjen. Kështu eliminohen bakteret si faktorë që ndikojnë në nxitjen e plakjes dhe vdekjes. /Telegrafi/