Druaj se është vetëm edhe një mundësi në zinxhirin e mundësive që i ka humbur politika e jashtme greke, thotë ish-shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani lidhur me mundësitë për zgjidhjen e çështjes për emrin, e paralelisht dërgoi kritika të ashpra deri te qeveria e Tsiprasit për atë se si menaxhon me negociatat.
Në panel diskutimin në Forumin ekonomik në Delfi të Greqisë, siç njofton AIM, Bakojani tha se me kryeministrin aktual të Maqedonisë, negociatat janë më të lehta se sa më atë paraprak.
“A është zotëri Zaevi dritare e mundësisë? Unë mendoj se po, ishte dritare e mundësisë, pasi secili që ka negocuar me zotëri Gruevskin e din shumë mirë se sa ishte rëndë, madje edhe e pamundur që të arrihet çfarëdo zgjidhje me një nacionalist radikal, i cili as që mendonte për çfarëdo zgjidhje të problemit.
Ish-ministrja greke e Punëve të Jashtme, e tani deputete nga Demokracia e Re opozitare, sqaroi se i takon kategorisë së njerëzve që vlerësojnë se duhet të zgjidhet problemi mes dy vendeve, por Qeveria aktuale greke “në mënyrë katastrofike menaxhon me çështjen, pasi Tsipras i filloi negociatat si lider i SYRIZA-së, e jo si kryeministër”.
Bakojani vlerëson se ballafaqimi me problemin duhet të fillojë nga themeli, i cili sipas saj, është irredentizmi, pasi “historikisht, pikërisht në bazë të kësaj logjike, u ndërtua tërë ky shtet”.
Lidhur me rajonin më të gjerë, ajo thotë se “pa dyshim, Ballkani Perëndimor është vrimë e zezë në Evropë”, ndërsa mungesën e interesit të Evropës gjatë viteve të kaluara e kanë mbuluar forcat tjera në Ballkan. Me vonesë të madhe megjithatë Evropa, sipas Bakojanit, ka kuptuar se kjo nuk mund të vazhdojë.