Nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami në fjalën e tij gjatë konventës zgjedhore të partisë, tha se PDK e themeluar para 17 vitesh morri përsipër ndërtimin e shtetit dhe implementimin e pavarësisë duke u prirë nga lideri historik Hashim Thaçi.
“Ne jemi krenar që PDK ka qenë protagoniste e ndërtimit të historisë së Kosovës dhe arritjes që një ëndërr shekullore ta bëjë realitet”, tha Bajrami.
Ai gjithashtu tha se kjo ngjarje sot po promovon standarde të reja pluraliste dhe do të jetë model i të gjitha partive demokratike.
“PDK ka dhënë shembullin më të mirë se si duhet të sillemi dhe se si duhet të mbrojmë shtetin”, ka thënë Bajrami duke shtuar se secili nga anëtarët e partisë duhet të ndjehen të lumtur që si kandidat për prijës të partisë është Kadri Veseli.
“Jemi të lumtur që ne kemi kandidatë Kadri Veselin, një personalitet i shquar i pavarësisë dhe i shtet-ndërtimit të Kosovës dhe një lider që ka shumëçka për t’i dhënë Kosovës”, ka përfunduar nënkryetari i deritashëm i PDK-së, Arsim Bajrami.