Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se po vazhdon korrupsioni, dhe se vetëm ditën e premte janë publikuar katër kontrata njëburimore.
Sipas deputes, kontratat janë në shumë prej 683 mijë euro, transmeton Telegrafi.
“Vazhdon korrupsioni – vetëm dje Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka publikuar 4 kontrata njëburimore në shumë prej 683 mijë euro. Pra, 683 mijë euro brenda një ditë të vetme”, shkruan ajo në Facebook.
“Dje, dite premte 31 Maj 2024, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik publikoi katër kontrata njëburimore/kontrata të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë si në vijim”.
1. Korporata Energjetike e Kosovës: Ruajtja dhe sigurimi i objekteve të KEK-ut, për dy muaj (qershor-korrik 2024), shuma 448,251.13 euro.
2. Korporata Energjetike e Kosovës: Transport i punëtorëve të KEK-ut, për muajin Qershor-Korrik 2024, shuma 152,884.56 euro.
3. Punë shtesë Ri-tender/ndërtimi i 11 shtëpive në pjesën veriore të Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shuma 63,725.72 euro.
4. Punë shtesë Ri-tender/renovimi i 4 shtëpive në pjesën veriore të Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shuma 18,225.30 euro.
Deputetja e LDK-së, më tej në reagimin e bërë ka pohuar se korrupsioni duhet të ndëshkohet, duke shtuar tutje se “Në ekonominë e tregut askush s’ka të drejtë që në sektorë ku ka konkurrencë të negociojë kontrata me një kompani”.
“Kjo është në kundërshtim me nenin 10 të Kushtetutës, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, respektivisht është keqpërdorim i detyrës zyrtare, dëmtim i buxhetit të shtetit – është korrupsion”, pohon ajo.
Më tej, ajo ka theksuar se korrupsioni duhet të dënohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë./Telegrafi/