Telegrafi

Bajrami u kërkon deputetëve ta votojnë Ligjin për Rimëkëmbje, thotë se tërheqja e 10 për qind të kursimeve nga Trusti do të mundësohet së shpejti

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë nesër në dy lexime Ligjin për Rimëkëmbje, ndërkaq tha se tërheqja e 10 për qind të kursimeve nga Trusti do të mundësohet së shpejti.

Bajrami tha se ky ligj është i një rëndësie vitale dhe se ky projektligj ua mundëson qytetarëve të vendit t’i tërheqin 10% të mjeteve të tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale, duke rritur kërkesën agregate në ekonomi.

“Tërheqja e 10 % të kursimeve nga Trusti mundësohet së shpejti, kërkoj nga deputetët të votojnë nesër Ligjin për Rimëkëmbje në dy lexime. Nesër, me datë 14.08.2020, në Seancën plenare të Kuvendit të Kosovës do të shqyrtohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, COVID-19. Ky ligj është i një rëndësie vitale, sepse përmes tij krijohen mundësitë ligjore për zbatimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe rigjallërimin e ekonomisë së vendit tonë. Ky projektligj ua mundëson qytetarëve të vendit t’i tërheqin 10% të mjeteve të tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale, duke rritur kërkesën agregate në ekonomi. Projektligji mundëson transferin e mjeteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në buxhetin e Kosovës, për t’u vënë në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit. Përmes plotësim-ndryshimit të ligjit për Themelimin e Fondit për Garanci Kreditore, mundësohet kreditimi i ekonomisë me kushte të favorshme për bizneset dhe fermerët – përmes mbulimit të rrezikut dhe subvencionimit të normave të interesit nga Qeveria e Kosovës”, shkruan Bajrami.

Lexo po ashtu Bajrami publikon masat që do të ndihmojnë bizneset, pasi Qeveria aprovoi Planin për Rimëkëmbje Ekonomike prej 365 milionë eurosh

Ajo u shpreh se “nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për TVSh-në do të reduktohet norma e TVSh-së nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi”.

“Rrjedhimisht, Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19 krijon mundësinë ligjore për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë masa të rëndësishme të cilat do ta shtyjnë përpara procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Andaj, si Ministre e Financave, u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nesër ta votojnë këtë projekt-ligj”, shkruan Bajrami. /Telegrafi/