Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se do t’ua kërkojë edhe një herë votën deputetëve për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
“Do të kërkoj edhe në ditët në vazhdim votën e deputetëve për Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike pasi është hartuar për të lehtësuar jetën e qytetarëve, për të ndihmuar bizneset private dhe mbajtur ekonominë gjallë në kohën kur Kosova po ballafaqohet me pandeminë dhe pasojat e saj”, ka shkruar ajo në Facebook.
Bajrami tha se votimi i një ligji të tillë duhet të shihet si ndihmë për qytetarët e “jo për të bërë luftë partiake”.
Ndryshe, Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike dështoi të votohet dy herë brenda ditës nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Postimi i plotë:
Do të kërkoj prapë votën e deputetëve për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike
Ligji për Rimëkëmbje nuk kaloi sot as në lexim të parë pasi s’pati vullnet nga deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës. Herën e parë votuan vetëm 43 deputetë, kurse herën e dytë vetëm 45 deputetë duke pamundësuar kështu që Ligji të shkojë përpara.
Do të kërkoj edhe në ditët në vazhdim votën e deputetëve për Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike pasi është hartuar për të lehtësuar jetën e qytetarëve, për të ndihmuar bizneset private dhe mbajtur ekonominë gjallë në kohën kur Kosova po ballafaqohet me pandeminë dhe pasojat e saj.
Interesi i qytetarëve duhet të jetë gjithmonë mbi interesin partiak dhe ditor. Andaj, votimi i një Ligji të tillë duhet parë si ndihmë e qytetarëve dhe jo për të bërë luftë partiake.
Më vjen keq që sot pritjet e qytetarëve nuk po realizohen shkaku i mungesës së votave të deputetëve. Në rastin e parë, prapë Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike do të jetë për votim në Parlament.