Site icon Telegrafi

Bajrami thotë se qytetarëve u është dërguar gabim mesazhi për pranimin e shumës prej 130 euro nga Pakoja Emergjente

Qytetarë të Republikës së Kosovës kanë pranuar sot një mesazh ku njoftoheshin se janë përfitues të një shume prej 130 eurosh të ndara nga Qeveria e Kosovës, si pjesë e Pakos Emergjente Fiskale, por që vetëm një ditë më vonë, të njëjtit qytetarë janë njoftuar se ka ndodhur një keqkuptim dhe se nuk janë përfitues të atyre të hollave.

Një numër i këtyre qytetarëve kanë dërguar në adresë të Telegrafit këto mesazhe që kanë marrë nga Ministria e Financave.

Ndërkaq, me një sqarim ka dalë edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami e cila ka thënë se ka ndodhur një gabim kur lista është dërguar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Sot, disa qytetarë të Republikës së Kosovës kanë pranuar GABIMISHT një mesazh se janë përfitues të masës 15. Ky GABIM ka ndodhur pasi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përgjegjëse për masën 15 të Pakos Emergjente, ka dërguar listën jo të SAKTË në Ministrinë e Financave. Pasi janë dërguar mesazhet telefonike, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale na ka njoftuar se ka dërguar listën e gabuar. Menjëherë është përmirësuar ky gabim dhe secilit qytetar i është dërguar edhe mesazhi sqaruar dhe kërkim falja”, ka sqaruar bajrami përmes një postimi në Facebook.

Ajo ka thënë se kërkon falje nga qytetarët, ndërkaq po ashtu shtoi se ka kërkuar përgjegjësi hierarkike dhe politike për këtë lëshim.

“Edhe tash kërkoj falje secilit qytetar dhe ju njoftoj se kam kërkuar përgjegjësi hierarkike dhe politike për këtë lëshim. Do të ketë llogaridhënie prej secilit person të përfshirë në këtë rast. Kam kërkuar edhe përgjegjësi politike dhe për këtë problem është njoftuar edhe Kryeministri Hoti. Për çfarëdo sqarimi tjetër mund të drejtoheni në Qendrën për Punë Sociale në komunën ku jetoni. Gabimet e tilla do t’i eliminojmë dhe do të vazhdojmë pagesën për të gjitha pikat e Pakos Emergjente”, shkruan Bajrami. /Telegrafi/

Exit mobile version