Site icon Telegrafi

Bajrami: Thaçi përmend padinë ndaj Serbisë kur i ka punët ngusht

Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Bajram Hasani, ka reaguar pas paralajmërimit të presidentit Hashim Thaçi se Kosova së shpejti do të ngre padi ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer gjatë luftës.

Hasani përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo padi të bëhet shumë moti dhe jo të bëhet për interesa personale të Presidentit, “kur i ka punët ngushtë”.

“Imazhin tënd nuk mund ta lustrosh duke luajtur me ndjenjat e familjarëve të të vrarëve dhe të zhdukurve nga lufta e fundit”, ka shkruar Hasani, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Hasanit:

“Kanë kaluar 18 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ende nuk është bërë ndonjë padi për gjenocidin që ka kryer Serbia ndaj civilëve shqiptarë. Sipas të dhënave të grumbulluara, në Kosovë nga janari 1998 deri më 12 qershor 1999 ka pasur 12 843 viktima të nacionalitetit shqiptar.

Sot Presidenti, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se shumë shpejt Serbia do të paditet për gjenocidin që ka kryer në Kosovë

Natyrisht secili prej nesh do të donte që Serbia të jepte përgjegjësi për të gjitha krimet makabre që i ka kryer mbi civilët e pafajshëm shqiptar, por ajo që na brengosë neve është që kjo nuk është bërë deri më tani dhe vjen në një kohë kur presidenti Thaçi pas dështimit të iniciativës së tij për krijimin e ushtrisë, po tenton që ta gjej një tjetër vegëz për ta ruajtur apo kthyer imazhin e tij tashmë të humbur.

President është dashur që kjo padi të bëhet shumë moti dhe jo të bëhet për interesa tuat personale, kur i ke punët ngushtë. Imazhin tënd nuk mund ta lustrosh duke luajtur me ndjenjat e familjarëve të të vrarëve dhe të zhdukurve nga lufta e fundit”, ka shkruar Hasani. /Telegrafi/

Exit mobile version