Ministria e Drejtësisë, respektivisht Drejtoria e burgjeve i ka bërë një kërkesë Bashkësisë Islame të Kosovës për të përzgjedhur disa imamë të cilët do të mbajnë këshillime të nevojshme dhe ligjërata nëpër burgjet e Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm fetar dhe në bazë të kësaj kërkese është kërkuar të klasifikohen disa tekste të cilat ja vlen të gjinden në duart e të burgosurve.
Për të folur për këtë temë në studion e emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, doktori i shkencave islame, Mustafa Bajrami ka thënë se ka nevojë për një gjë të tillë.
“Nuk e di sa është shqetësuese ekstremizmi në burgje, mirëpo unë këtë akt të mirëpritur e kisha shikuar nga një prizëm tjetër. Edhe të burgosurit pa marrë parasysh shkaqet e dënimeve dhe që sot gjinden në burg pa marrë parasysh kush janë ata, janë qytetarët e Kosovës, sikurse të tjerët jashtë që kanë nevojë të dëgjojnë ligjërata për fe edhe ata brenda duhet të jenë të kontaktuar nga njerëzit e fesë”, ka deklaruar Bajrami në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel.
Kjo praktikë ka qenë edhe më parë, mirëpo tani po kalon në një formë tjetër përmes MD-së dhe BIK-ut.
“E re është marrëveshja e BIK-ut dhe MD-së që BIK në nivelin më të lartë t’i përzgjedh imamët më të përshtatshëm për të mbajtur ligjërata. Nuk ka nevojë për shqetësim të caktuar, është një praktikë e mëhershme por që tani ju ka ndërruar forma”, ka deklaruar Bajrami, duke shtuar se edhe të burgosurit kanë nevojë të dëgjojnë fenë dhe shpjegimet e mirëfillta të fesë sikurse ne që jemi jashtë.
“Kjo do t’i kishte kontribuar situatës në të mirë që të mos i lejohet eventualisht nëse ka iniciativa të ekstremizmit, që të mos indoktrinohen ata qytetarë që gjinden në burgje, që të mos bien pre e shpjegimeve të gabueshme që mund të ndodhin brenda. Imamët e dinë se çfarë duhet tu flasin atyre”, ka thënë ai.
Bajrami ka folur edhe për mungesën e buxhetit të BIK-ut si dhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme pas zgjedhjes së Presidentit të ri të ShBA-ve Donald Trump./Tribuna/