Ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka ngushëlluar familjarët e viktimave të fundit si pasojë e coronavirusit, ndërsa ka uruar shërim të shpejtë të gjithë atyre që po luftojnë me këtë sëmundje të rrezikshme që ka prekur pothuajse të gjithë botën.
Duke kujtuar se një pjesë e qytetarëve të Kosovës po e presin festën e sakrificës, Kurban Bajramin, pa një pjesë të familjarëve të tyre që kanë humbur jetën nga COVID-19, ministrja Bajrami thotë se qindra të tjerë po përballen me këtë sëmundje të panjohur nëpër spitalet tona.
“Kërkoj prej secilit qytetar, prej secilës grua dhe burrë, secilit prind që të shtoni kujdesin dhe të festojnë Bajramin duke respektuar këshillat shëndetësore për të luftuar COVID-19. Gjenerata të tëra jemi rritur duke sakrifikuar, kemi luftuar dhe duke pasur edhe durimin se ditë të mira do të vijnë për Kosovën dhe mbarë njerëzimin. Andaj, edhe për këto ditë të Bajramit, lutuni që kjo pandemi të kalojë dhe t’i kthehemi normalitetit dhe ta fitojmë këtë luftë me këtë sëmundje që nuk po kursen askënd. Ngushëllimet e mija më të sinqerta të gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre nga COVID-19. Shërim të shpejtë të gjithë atyre që po luftojnë me virusin. Kujdes e higjienë për të gjithë të ne tjerët”, ka shkruar ministrja Bajrami në një postim në Facebook.
Kosova në dy ditët e fundit ka regjistruar numrin më të lartë në nivel ditor të vdekjeve me coronavirus që nga shpërthimi i epidemisë në muajin mars. Derisa dje u raportua për 16 raste, pothuajse i njëjti trend ka vazhduar edhe sot ku janë konfirmuar edhe 15 raste të reja me përfundim fatal.