Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka quajtur dështim thirrjen e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që prindërit të mos i blejnë librat pa marrë listën nga mësuesit.
Bajrami ka cekur disa nga problemet me të cilat prindërit po përballen me vendimin e ri të MASHTI-t për blerjen e librave, duke thënë se kjo çështje është kaos.
“Shkelësja e kushtetutës Nagavci tek sot iu paska bë thirrje prindërve ‘mos me i ble librat, pa e marrë listën nga mësuesit’, e çka me ata që tashmë i kanë ble, t’i kthejnë apo? Ai prindi nga Kaçaniku që dje e ka lënë punën ka shku në Ferizaj me i ble librat, tash duhet me marrë edhe një ditë tjetër pushim me shku me i ndrru librat?! Për më tepër, kush e garanton atë dhe të tjerët që kanë me i gjetë ato libra që i rekomandojnë mësuesit?! Kësaj i thonë kaos me kosto të lartë”, ka shkruar Bajrami.
Sipas ish-ministres së Arsimit, thirrja e Nagavcit për prindërit është “thirrje e tërthortë për shtëpitë botuese ‘mos botoni libra se kërkesa për ato varet nga mësuesit’”.
“Çfarë dështimi! Ju kemi tregu që ka me pasë shumë probleme këtë vit. Është mëkat i madh që dështimin e Ministrisë dhe Qeverisë kaq drejtpërdrejtë e kaq shtrenjtë po e paguajnë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit”, shtoi tutje Bajrami.