Telegrafi

Bajrami prezanton Strategjinë e re të arsimit, pranon se gjendja nuk është e mirë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami të enjten në Kuvendin e Kosovës bëri të ditur se ministria që ai drejton ka hartuar një strategji për përmirësimin e arsimit parauniversitar në Kosovë.

Bajrami ka theksuar se arsimi dhe edukimi duhet të jenë prioritet kombëtar, duke theksuar se Strategjia e re e MASHT-it është ndërtuar mbi 10 shtylla.

“Shtylla e parë fillon të moshat e hershme – gjithëpërfshirja në arsimin parafillor dhe parashkollor. Pika tjetër është që kurrikula të reflektoj mësimin, gërshetimin e mësimit teorik dhe atij praktik, duke u larguar nga mësimi vetëm memorizues. Problemi tjetër që jemi ballafaquar ka qenë cilësia jo e mirë e teksteve shkollore, sepse thuhet se nxënësit janë produkt i teksteve mësimore. Shtyllë tjetër me rëndësi është edhe digjitalizimi i procesit mësimor dhe tranzicioni nga një mësimdhënës i dërrasës së zezë dhe shkumësit të kalohet në një mësimdhënës që e shfrytëzon internetin”, ka shtuar Bajrami.

Ndryshe, ministri Bajrami është thirrur në interpelancë nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, në lidhje me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë. /Telegrafi/

Foto: Arkiv