Site icon Telegrafi

Bajrami po qëndron për vizitë zyrtare në Ajova të SHBA-së

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, këto ditë  po qëndrojnë për vizitë zyrtare në  SHBA.

Gjatë kësaj vizite, ministri Bajrami, është takuar me Sekretarin e Shtetit të Ajovas, Paul D. Tate,  me të cilin kanë biseduar për  mundësitë e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve shtetërore ndërmjet shtetit të Ajovas dhe Republikës së Kosovës.

Pas takimit me sekretarin Tate, ministri Bajrami së bashku me anëtarët e delegacionit nga Kosova ka vizituar Kongresin e Shtetit të Ajovas, ku janë pritur ngrohtësisht nga lidershipi i të dy dhomave të organit legjislativ.

Ministri Bajrami dhe rektori Dema, gjithashtu kanë zhvilluar një takim edhe me drejtorin e Departamentit të Edukimit, Ryan Wise me ç’rast është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në të gjitha nivelet e arsimit.

Gjatë vizitës në Ajova, ministri Bajrami do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me disa nga institucionet prestigjioze të arsimit të lartë të këtij shteti. /Telegrafi/

Exit mobile version