Ish-ministrja e Arsimit, deputetja Hykmete Bajrami, ka thënë se e shtuna e sotme ishte ditë dështimi dhe jo ditë mësimi.
Bajrami, përmes një postimi në Facebook se shumica e nxënësve në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë nuk kanë shkuar sot në shkollë.
“E njëjta situatë ishte pothuajse në secilën shkollë. Diku shkuan dy nxënës, diku katër e diku tjetër shtatë. Por, mësimi nuk u mbajt”.
Bajrami ka theksuar se nxënësit nuk e përfillën urdhrin e ministres Nagavci dhe nuk funksionuan as kërcënimet se do t’i përdorë inspektorët për mbikëqyrur mbarëvajtjen e mësimit këtë të shtunë.
Postimi i plotë:
“E shtuna ditë dështimi, nuk ishte ditë mësimi
Shumica e nxënësve në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë nuk kanë shkuar sot në shkollë. E njëjta situatë ishte pothuajse në secilën shkollë. Diku shkuan dy nxënës, diku katër e diku tjetër shtatë. Por, mësimi nuk u mbajt.
Nxënësit nuk përfillën urdhrin e ministres Nagavci. As kërcënimet se do t’i përdorë inspektorët për mbikëqyrur mbarëvajtjen e mësimit këtë të shtunë nuk funksionuan.
Përgjegjësia për dështimin e mësimit është e ministres Nagavci, e cila hartoi kalendarin mësimor pa e pyetur askënd. As prindërit dhe as përfaqësuesit sindikalë të arsimit.
Partia në pushtet, Qeveria dhe ministrja Nagavci po i konsiderojnë fëmijët, SBASHK-un e prindërit sikur të ishin opozita e këtij vendi.
Qasje krejt e gabuar. Nuk bisedojnë me SBASHK-un; nuk bisedojnë me prindërit, nuk bisedojnë me mësimdhënësit. E kërcënojnë se do të përdorin inspektorët.
Rezultati: DËSHTIM
Krejt çka dinë është shantazhi. Inatet i kanë me të mëdha se qëllimin.
Me dialogu duhet sidomos me ata që nuk pajtohesh, andaj ulu dialogo me SBASHK-un, me prindërit dhe me të gjithë derisa të pajtoheni për kompensim të orëve, sepse qasja juaj vetëm dështim po na sjellë asgjë tjetër.
Humbësit janë fëmijët, familjet dhe gjithë shoqëria”, ka shkruar ajo.
Ndërsa, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka thënë se në 70 për qind të institucioneve të arsimit fillor e të mesëm të ulët këtë të shtunë nuk është mbajtur fare mësimi.
SBASHK-u thotë se në pjesën tjetër të shkollave numri i nxënësve ka qenë tepër i vogël, prandaj edhe aty nuk mund të thuhet se ka pasur proces mësimor.
Edhe Këshilli i Prindërve i Kosovës vazhdon të mbrojë qëndrimin se orët e humbura gjatë grevës së mësimdhënësve në muajin shtator nuk duhet të kompensohen me mësim të shtunave. /Telegrafi/