Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka deklaruar se ngritja e Kosovës në pozitën e 40 për të bërit biznes nga Banka Botërore është rezultat i qeverisjes së tyre.
Ish-ministrja e Tregtisë në qeverisjen e kaluar, Hykmete Bajrami gjatë një konference për media tha se për këtë rangim Banka Botërore ka marrë parasysh të gjitha reformat, të cilat kanë ndodhur prej gjatë qeverisjes së LDK-së.
“Sot Banka Botërore ka publikuar raportin për të bërit biznes në vitin 2018 dhe ka renditur Kosovën në pozitën e 40 vitin e kaluar ishim të renditur në pozitën e 60 dhe gjithashtu kemi arritur që të jemi vendi i katërt top reformator në botë prej 190 vendeve që mat performancën e ambientit të biznesit Banka Botërore të jemi vendi i katërt për reformat të cilat i kemi ndërmarrë. Ne ju kemi ftuar që të raportojmë për këtë, sepse bëhet fjalë pikërisht për punën dhe reformat në ekonomi dhe në ambientin e biznesit që i ka ndërmarrë qeveria e kaluar pjesë e të cilës kemi qenë ne, sepse Banka Botërore ka marrë parasysh të gjitha reformat të cilat kanë ndodhur prej 1 qershorit 2016 deri më 31 maj 2017”, tha Bajrami, transmeton KP.
Hykmete Bajrami i ka bërë thirrje qeverisë që të vazhdojë reformat e mira që janë filluar gjatë qeverisjes së tyre, me qëllim që të ndihmojnë për një ambient më të mirë për biznes.
Ajo tha se nuk duhet të merren vendime dhe politika selektive që i ndihmojnë disa bizneseve.
“Kusht për të qenë vend top reformator është që vendi së paku në tre indikatorë të bëjë reforma të thella. Ne kemi pasur reforma të tilla në tre indikatorë dhe kemi arritur që të jemi vendi i katërt top reformator. Edhe një herë po iu them që reformat që janë publikuar në këtë vit janë reforma që janë bërë prej 1 qershorit të vitit 2016 deri më 31 maj të vitit 2017, nga këtu i bëjmë thirrje qeverisë që ajo të vazhdojë reformat e mira të cilat i kemi filluar qeveria duhet t’i vazhdojë këto reforma të mira me mbështetjen e donatorëve, në mënyrë që ne të kemi një ambient shumë të mirë të biznesit dhe të mos marrim vendime ad-hoc dhe politika selektive, të cilat mund të iu ndihmojnë disa bizneseve, por në fakt mund të shkatërrojnë shumë të tjera”, tha ajo.
Sipas Bajramit gjatë mandatit qeverisës të LDK-së, Kosova tek indikatori i fillimit të biznesit ka bërë progres 32 pozita, tek lejet e ndërtimit është ngritur për 13 pozita, te furnizimi për energji elektrike 6 pozita dhe te marrja e kredisë Kosova është ngritur për 11 pozita./Telegrafi/