Site icon Telegrafi

Bajrami: Nga MSA përfitojnë kompanitë

Hap konkret dhe sinjal i rëndësishëm për investitorët e huaj u cilësua implementimi i marrëveshjes së stabilizim asociimit nga Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë dhe nga paraardhësi i saj, Bernard Nikaj.

Në një debat për përfitimet e Kosovës nga MSA-ja në Rubikon të KTV-së, ata thanë se kjo marrëveshje është mundësi e mirë edhe për investitorët lokal.

“Kompanitë tona do të përfitojnë. Kjo nuk është vetëm qasje e lirë në një treg të tillë, por kemi kushtet e kriteret për të prodhuar produkte kualitative”, ka thënë Bajrami.

Heqja e taksës doganore nuk do të shkoj direkt në rritjen e çmimeve të produkteve.

“Nuk do të keni luksin e rritjes së çmimeve sepse do të keni konkurrencën e prodhuesve vendor”, ka thënë Bajrami.

Optimizmi i Nikajt dhe ministres Bajrami u kundërshtua nga Gazmend Abrashi, afarist dhe deputet i AAK-së dhe Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

“Kosova është humbësja më e madhe”, ka thënë Abrashi në Rubikon të KTV-së duke shtuar se njëjtë ka ndodhur edhe kur është nënshkruar marrëveshja e CEFTA-s dhe kësisoj qytetari i Kosovës mbetet humbësi më i madh.

Interesin më të madh nga kjo marrëveshje e ka Europa pasi sipas Abrashit është paralajmëruar se me heqjen e taksës doganore rriten çmimet e produkteve.

Në anën tjetër, nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha ka thënë se nuk pajtohet me atë se qytetarët do të kenë kualitet më të lartë dhe rrjedhimisht çmime më të ulëta.

“Qëllimi është si t’i forcojmë prodhuesit tonë që të jenë më konkurrues në Kosovë dhe më gjerë”, ka thënë ai duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më agresivë në raport me hapat dhe reformat e reja për zgjerimin e standardeve prodhuese.

Exit mobile version