Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami gjatë vizitës së saj zyrtare në Washington ka marrë zotimin e Bankës Botërore, që ata do të jenë partner i fuqishëm i Kosovës dhe se ekipi i tyre do të punojë ngushtë më Ministrinë e Financave dhe Qeverinë e Kosovës në financimin e projekteve dhe reformave që do të kontribuojnë në rimëkëmbjen ekonomike të Republikës së Kosovës.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka zhvilluar takim më delegacionin e Bankës Botërore të udhëhequr nga Anna Bjerde, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore ku temë e diskutimit ishte fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore në projekte që kanë për objektiv zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Sipas komunikatës ministrore, në takim u diskutua portofolio ekzistuese e projekteve, përshpejtimi i implementimit të projekteve, hapësira fiskale për projekte të reja si dhe instrumenti për zhvillimin e politikave si një platformë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet Bankës Botërore dhe Kosovës.
Bajrami e informoi ekipin e Bankës Botërore lidhur me kontekstin socio-ekonomik në vendin tonë dhe implikimet e shkaktuara nga pandemia COVID-19 në ekonominë e Kosovës.
“Ajo nënvizoi se Qeveria e Kosovës po punon intensivisht në adresimin e sfidave socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia, dhe në këtë kuadër, e mirëpret gatishmërinë e Bankës Botërore për të punuar ngushtë me Qeverinë e Kosovës në intensifikimin e bashkëpunimit i cili do të sjellë rezultate konkrete për zhvillimin socio-ekonomik dhe avancimin e reformave në Republikën e Kosovës.
Nga ana tjetër, Bjerde u shpreh se Banka Botërore do të jetë partner i fuqishëm i Kosovës. Ajo shtoi se ekipi i Bankës Botërore do të punojë ngushtë më Ministrinë e Financave dhe Qeverinë e Kosovës në financimin e projekteve dhe reformave që do të kontribuojnë në rimëkëmbjen ekonomike të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/