Site icon Telegrafi

Bajrami: MTI do të sigurojë një ambient sa më të mirë për konsumatorët e Kosovës

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, të mërkurën mori pjesë në konferencën “Të Drejtat Pronësore Intelektuale”, organizuar në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale.

Ajo tha se përdorimi i pa autorizuar i markës tregtare, prodhimi, eksportimi, shitja e patentave pa licencë, falsifikimi i produkteve, pirateria dhe dukuri të ngjashme janë preokupim i shumë vendeve të botës, andaj, është e një rëndësie të veçantë që këto dukuri negative të luftohen dhe në Kosovë.

“Rëndësia e mbrojtjes së pronësisë intelektuale të ndërmarrjes nuk qëndron thjesht tek roli që ajo mund të luajë në pakësimin ose rikthimin e humbjeve ekonomike që vijnë nga shkeljet e pronësisë intelektuale të saj, por para se gjithash, tek ruajtja nga shkatërrimi i tregut të ndërmarrjes, prishja e imazhit të saj dhe besueshmërisë së klientëve në emrin dhe produktet apo shërbimet e saj”, tha ajo.

Ministrja Bajrami, shprehu përkrahjen e saj të vazhdueshme karshi forcimit të sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë përmes Agjencisë për Pronësi Industriale e cila vepron në kuadër të MTI-së.

“Forcimi i një sistemi të tillë është prioritet i Ministrisë dhe do të vazhdojë si i tillë deri në përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE-në, tha ajo.

Bajrami kërkoi që përmes mbrojtjes së pronësisë intelektuale të inkurajohen zhvillimet e reja teknologjike dhe mbrojtja e reputacionit të brendeve të kompanive vendore dhe ndërkombëtare.

Ajo nënvizoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes API-së, Inspektoratit të Tregut, Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, është e përkushtuar që të sigurojë një ambient sa më të shëndoshë për konsumatorët e Kosovës, dhe se do të vazhdojë inspektimi dhe kontrollimi i personave juridikë dhe fizikë që bëjnë shkelje të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta.

Exit mobile version