Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e saj nuk është fare e kënaqur me grevat e sindikatave në Kosovë.
Bajrami në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se e përkrahin grevën e sindikatave, dhe se përgjegjësinë kryesore për problemet në arsim sipas saj, e ka Qeveria e Kosovës.
Ajo ka thënë, se po të ishte LDK, në pushtet, çështja e grevës do të zgjidhej menjëherë.
“Ne nuk jemi të kënaqur që ka grevë. Ne e mbështesim grevën. LDK asnjëherë nuk del kundër një të drejte ligjore. Ne nuk jemi duke i fërkuar duart me atë çfarë po i ndodh zotit Kurti, sepse i kemi 318 mijë nxënës që nuk po e ndjekin mësimin. Me këtë bilanc bankar që ka sot shteti, sikur ne të ishim në pushtet, ne sot do e kishim bërë indeksimin e pagave e pensioneve në shumë prej 20%”, ka thënë ajo.
Ish-ministrja e Ekonomisë thotë se LDK përkrahë kërkesat e sindikatave që bazohen në ligj.
“Ne po kërkojmë që Kurti t’i kthejë nxënësit në shkollë pasi kjo gjë varet ekskluzivisht nga Qeveria. Në një shtet normal, Qeveria ditë e natë do të diskutonte me sindikatën. LDK, mendon që kërkesat e sindikatës, janë legjitime, kjo rrjedhimisht i bie që i përkrahim format ligjore të tyre”, ka vijuar ajo.
Ajo ka thënë se ka munguar dialogu social, që sipas saj është esencial për zgjidhjen e krizës.
Bajrami thotë se me grevën në arsim po humbin të gjithë qytetarët e Kosovës./Telegrafi/