Turistët që vizitojnë Kosovë ngelën të impresionuar nga ajo çfarë ofron Kosova, që assesi nuk kufizohet vetëm në mikpritjen e mrekullueshme të qytetarëve të vendit, por gjithashtu shoqërohet me diversitetin kulturor, me peizazhet e bukura dhe me historinë tonë të pasur, ka thënë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.
Ministrja Bajrami po merr pjesë në Kongresin Botëror, të organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Turizmit Social që po mbahet në Zagreb, me temën “Zhvillim i turizmit përmes përfshirjes”.
Me këtë rast, ministrja Bajrami ka zhvilluar takime me pjesëmarrësit duke i njoftuar ata për mundësitë që i ofron Kosova në fushën e turizmit.
Në këtë takim, ministrja Bajrami foli rreth sfidave të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit. Ajo, ndër të tjera, tha se Kosova posedon resurse të shumta turistike dhe se Qeveria e Kosovës po punon në zhvillimin dhe fuqizimin e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
“Përkundër vështirësive nëpër të cilat po kalon Kosova, për shkak se shteti i Kosovës nuk përfshihet në shumë iniciativa dhe organizata ndërkombëtare që merren me promovimin e turizmit, janë bërë përparime në krijimin e mekanizmave të cilët po merren me adresimin e sektorit të turizmit”, tha Bajrami.
Ajo, ndër të tjera, tha se turistët që vizitojnë Kosovë ngelën të impresionuar nga ajo çfarë ofron Kosova, që assesi nuk kufizohet vetëm në mikpritjen e mrekullueshme të qytetarëve të vendit por gjithashtu shoqërohet me diversitetin kulturor, me peizazhet e bukura dhe me historinë tonë të pasur, transmeton KosovaPress.
Bajrami ka uruar për një Kongres të suksesshëm duke besuar që ky Kongres, por edhe ngjarje të ngjashme do të ndikojnë në politikat regjionale dhe nacionale që fjala “përfshirje” të zë vend në praktikë e të mos mbetet vetëm pjesë e fjalimeve të bukura.