Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të 22 tetorit, ka thënë se ata janë partia më e madhe në vend.
Ajo në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka theksuar se në nëntë komuna janë në balotazh, derisa katër tjera i kanë fituar qysh ne raundin e parë.
“Numrat tregojnë që LDK në zgjedhjet e 22 tetorit ishte partia e parë. Pritjet tona janë që t’i mbajmë të gjitha komunat që i kanë drejtuar bashkë partiakët tonë. Në Gjilan nuk kemi asnjë problem që të fitojmë. Njëjtë është Podujevë, Istogu, Suhareka, etj. Kemi kthesë të mirë në Ferizaj. Qytetarët e Vushtrrisë e kanë një mundësi ta zgjedhin Xhafer Tahirin për kryetar. Prishtinën e kemi të fituar. Pritet te konfirmohet nga qytetarët rezultati ynë pozitiv”, ka shtuar Bajrami.
Sipas saj, kandidatët e kësaj partie për të parin e komunave, do të bëjnë koalicion me qytetarët, por jo me partitë politike./Telegrafi/