Telegrafi

Bajrami iu drejtohet institucioneve: Zbardheni krimin në Gllogjan, kërkoni ndihmë edhe nga ndërkombëtarët

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami përmes një shënimi në Facebook ka shprehur shqetësimin e saj që institucionet shtetërore nuk po munden të zbardhin rastin e vrasjes së tre personave në Deçan.

“Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të japin përgjegjësi bashkërisht për mungesë të rezultateve në zbardhjen e vrasjeve në Gllogjan të Deçanit”, ka shkruar deputetja opozitare përcjell Telegrafi.

Bajrami ka thënë se institucionet tona duhet të kërkojnë ndihmën e ndërkombëtarëve për të zbardhur rastin.

Ajo ka thënë se në Kosovë janë mbi 400 vrasje të pazbardhura.

“Nëse institucionet tona s’po bien në gjurmë të vrasësit/vrasësve, atëherë duhet kërkuar ndihmën te miqtë tanë. Në radhë të parë te institucionet e sigurisë amerikane. Prej pasluftës janë mbi 400 vrasje të pazbardhura. Secila vrasje duhet të zbardhet dhe posaçërisht vrasja e dy nxënësve dhe shoferit që ndodhi të premten në Gllogjan të Deçanit”.

Në fund Bajrami thotë se Qeveria e Republikës së Kosovë nuk duhet të kursejë asgjë për të zbardhur vrasjen e trefishtë./Telegrafi/