Ish-ministrja e Financave Hykmete Bajrami, është deklaruar në lidhje me vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Një postim në Facebook Bajrami ka shkruar se vjedhja e Thesarit shënon rastin e parë në Kosovë dhe se dy persona të dyshuar janë në burg.
Bajrami ka shtuar se organet e drejtësisë nuk do të dështojnë në këtë rast sepse çdo gjë dihet.
“Të gjitha mjetet financiare janë gjurmuar, shumica prej tyre janë të bllokuara dhe sapo të kryhet procesi gjyqësor ato mjete do të kthehen në buxhet. Organet e drejtësisë nuk do të dështojnë në këtë rast sepse çdo gjë dihet. Besoj që Prokuroria të dalë sa më shpejt me sqarime shtesë dhe informacione më të detajuara rreth këtij rasti”, shkruan Bajrami, e cila është liruar sot nga pozita e ministres së Financave, me kërkesë të saj për arsye personale.
Ndryshe, në tetor të vitit të kaluar, brenda disa orësh, janë zhdukur 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit.
Dyshimet e para janë se vjedhja është kryer përmes sistemit elektronik për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin (SMFK).
Në lidhje me rastin janë arrestuar dy persona, njofton Telegrafi.