Site icon Telegrafi

Bajrami dhe Orlando flasin për bashkëpunimit mes Kosovës dhe Italisë në fushën e ekonomisë dhe financave

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, priti sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, Nicola Orlando me të cilin bisedoi për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë në fushën e ekonomisë dhe financave. 

Bajrami e njoftoi ambasadorin Orlando për situatën ekonomike dhe makrofiskale në vendin tonë dhe për efektet e shkaktuara nga pandemia.

Në komunikatën për medie thuhet se ministrja i shpjegoi Orlandos veprimet dhe aktivitetet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në funksion të zbatimit të masave që derivojnë nga programi për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ambasadori i Italisë, Nicola Orlando gjatë këtij takimi konfirmoi se Italia është e angazhuar për të ndihmuar Kosovën në tejkalimin e situatës së përgjithshme të krijuar nga pandemia COVID19 si dhe shprehu interesimin e shtetit italian për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Palët u dakorduan që të intensifikojnë bashkëpunimin ndërshtetëror në drejtim të krijimit të një mjedisi të përshtatshëm i cili do të inkurajonte shtimin e investimeve nga kompanitë italiane në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version