Nisma për Kosovën është pro vazhdimit të mandatit të EULEX-it, pavarësisht që në Kuvend kjo parti kishte hedhur kritika për dështimet e këtij misioni. Valdete Bajrami, shefe e Grupit Parlamentar të Nisma-s ka deklaruar në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel se mos funksionimi i sistemit të drejtësisë në vend na ka sjellë deri në këtë pikë që të kemi nevojë për misionet ndërkombëtare.
Ajo ka treguar se kur partia më re e certifikuar nga KQZ (Nisma) do të jetë pjesë e Kuvendit.
“Derisa kjo qeveri jolegjitime nuk bënë tërheqjen e nënshkrimeve të marrëveshjes së demarkacionit dhe asociacionit, ne nuk do të jemi pjesë e Kuvendit”, ka thënë ajo.
Kthimi i Vetëvendosjes pa asnjë kush në Kuvend, për Valdete Bajramin është një dështim dhe kthim prapa.
“Prandaj ky vendim i njëanshëm i VV-së për rikthim ka qenë i dëmshëm edhe për kauzat opozitare”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka paralajmëruar një kundërshtim të fuqishëm të marrëveshjes së demarkacionit në rast që ajo dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.
“Gazi lotsjellës më nuk do të përdoret, por sigurisht që do të këtë metoda të tjera të kundërshtimit”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme në parti duke thënë se ky proces do të përfundojë me 25 qershor nga i cili do të dalin strukturat e reja udhëheqëse të partisë.