Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në konferencën “Krijimi i Brendeve dhe Zhvillimi Rajonal në Kosoovë” organizuar nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7, EAC Klubi i Bizneseve Sllovene në Kosovë, ARDA, RRA Nova Gorica Slloveni, JICA dhe USAIDI-i.
Në këtë konferencë ministrja Bajrami foli për rëndësinë e konceptit të brendimit kombëtar dhe atij rajonal, i cili sot konsiderohet si model tepër i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.
Ajo u shpreh se MTI-ja dhe Qeveria po punojnë në mënyrë të vazhdueshme që Kosova të ketë markë tregtare / brendim të vendit e cila do të nxjerrte në pah përparësitë konkurruese dhe veçoritë e karakteristikat e vendit tonë.
Bajrami theksoi se “brendimi i mirë i shtetit bën që mallrat dhe shërbimet të jenë më tërheqëse për eksport, të rritet interesi i turistëve për të vizituar vendin, rrit atraktivitetin e vendit për investitorët e huaj etj.”
Më tej, ministrja Bajrami foli për zhvillimin rajonal në Kosovë, dhe tha se MTI në kuadër të planeve zhvillimore sektoriale, ka hartuar masa për sektorët e industrisë në Kosovë, ka identifikuar sektorët kryesorë potencial dhe nevojat kryesore të tyre, ka hartuar draftin e Strategjisë për Zhvillimin e Sektorit Privat me Planet përcjellëse të Veprimit si dhe projektet praktike dhe të implementueshme që do të mbështesin NMV-të për t’u bërë më konkuruese në tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Në fund, ajo shtoi se krijimi i brendit rajonal është shumë i rëndësishëm që të arrijmë sa më shumë përfitime ekonomike në nivel nacional dhe rajonal. /Telegrafi/