Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka akuzuar sërish Qeverinë Kurti, se po nënshkruan kontrata sekrete.
Sipas deputetes, brenda një dite janë nënshkruar pesë kontrata sekrete, transmeton Telegrafi.
Në reagimin e saj, deputetja ka kërkuar nga prokuroria që të heton rastet.
“Alarm, brenda një dite nënshkruhen 5 kontrata sekrete. Derisa Kryeministri Kurti vazhdon sagën e propagandës së tij të pashoqe, ku përmes manipulimit të shifrave e krahasimeve jo reale “tregon” se sa është rritë Bruto Produkti i Vendit në terma nominal (përfshi inflacionin dyshifror gjatë mandatit të tij), në krahasim me shekullin e kaluar, sejmenet e tij vazhdojnë nënshkrimin e kontratave sekrete në baza ditore”, shkruan ajo.
Tutje, deputetja e LDK-së pohon se vetëm sot “Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka njoftuar se janë nënshkruar edhe 5 kontrata të tilla, pra 5 kontrata sekrete për një ditë”..
Më tej, ajo ka theksuar se po dëmtohet buxheti i shtetit dhe se ka keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë të ndërmerr masa konkrete dhe të ndëshkoj këtë lloj korrupsioni. Me këto kontrata po dëmtohet rëndë buxheti i shtetit, ka keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe po deformohet konkurrenca e drejtë në treg”, shton mes tjerash ajo.
Bajrami ka publikuar edhe kontratat njëburimore, që sipas janë nënshkruar sot:
❌MINISTRIA E KULTURËS/ PUNË SHTESË NË NDËRHYRJE RESTAURUESE DHE KONSERVUESE- HANI I FAMILJES ZAJMI/ 9037.20 euro/
❌ AGJENCIA KOSOVARE E PRIVATIZIMIT/ ANGAZHIMI I OFRUESIT TË SHËRBIMEVE PROFESIONALE PËR PROCESIN E LIKUIDIMIT PËR TË GJITHA NSH-TË ASETET NËN ADMINISTRIMIN E AKP-SË/ 249,900.00 euro/
❌ QENDRA KLINIKE UNIVERSITARE E KOSOVËS/ PUNË SHTESË TË KONTRATËS RENOVIMI I KLINIKËS SË KARDIOKIRU-RGJISË NË QKUK/ 74,572.83 euro/
❌ MINISTRIA E KULTURËS/ FURNIZIM ME PAJISJE PUNE DHE MATERIALE TË NEVOJSHME PËR RESTAURIM-KONSERVIMIN E ARTEFAKTEVE DHE KABINETEVE PËR MUZEUN KOMBËTAR TË KOSOVËS- RITENDERIM I DYTE/ 65,000.00/
❌MINISTRIA E KULTURËS/ PUNË SHTESË NË OBJEKTIN E ISH-POSTËS NË MITROVICË/ PUNË SHTESË NË OBJEKTIN E ISH POSTËS NË MITROVICË/ 8,197.12 euro/
Gjithashtu, ajo ka shkruar se Qeveria ka ulur pagat e personelit të AKP-së.
“Për informacion të të gjithëve kjo Qeveri i ka ulë pagat e personelit të AKP-së. Tash me kontratë njëburimore paska blerë shërbime profesionale në shumë 250 mijë euro, me shumë gjasë do të dalin të jenë militantë të LVV-së sikur te rasti i KEK-u, derisa në AKP janë dhjetëra punëtorë që kanë përvojë pune mbi 20 vjet e janë të thirrur me e kry këtë punë.”/Telegrafi/