Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë se Qeveria nuk ka marrë vendim të ri për subvencionim të energjisë, por vendimi i së martës ka qenë brenda ndarjes 90 milionë euro të ndarë më herët.
Bajrami me anë të një shkrimi në Facebook ka shkruar se ky vendim është marrë në mbledhjen e 60-të të Qeverisë së Kosovës.
“Dje Qeveria nuk e ka ndarë asnjë cent shtesë për energjinë. Qeveria dje thjeshtë ka bë alokim të mjeteve të 90 milionishit që e ka ndarë në fillim të këtij viti, konkretisht në mbledhjen e 60-të të Qeverisë, e cila u mbajt me datë 5 shkurt 2022, online. Dy ditë me pas ZRRE ka nxjerrë vendimin për tarifat e reja me rritje: 85 për qind për tarifën e lartë dhe 104 për qind për tarifën e ulët”, ka shkruar Bajrami.
“Nga mjetet e 90 milionësht deri me tani janë ndarë 41 milionë euro KOSTT-it për energjinë e shpenzuar në katër komunat veriore edhe 19 milionë euro dje. Të gjitha këto mjete janë për energjinë që tanimë është shpenzuar dhe e kanë efektin zero në situatën në të cilën gjendemi”, ka shtuar ajo.
Në mbledhjen e 97-të të Qeverisë është miratuar vendimi për ndarje të mjeteve buxhetore në vlerë prej 19 milionë eurove, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, në kuadër të masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.
Mjetet e ndara do të përdoren për subvencionimin e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë, me qëllim të uljes së ndikimit të tarifave të energjisë, e cila do të reflektohet në faturat e konsumatorëve. Po ashtu, në kuadër të masës janë ndarë 6 milionë euro, me qëllim subvencionimin e zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë. /Telegrafi/