Telegrafi

Bajram Rexhepi, po favorizojmë kompanitë e Mitrovicës

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi i shoqëruar nga nënkryetari Ismajl Smakiqi, kanë pritur të enjten në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, i cili kryesonte një delegacion të biznesmenëve të Mitrovicës.

Në takim u bisedua për gjendjen dhe rrethanat në të cilat funksionon biznesi në këtë komunë, ku ka shumë probleme si pasojë e situatës politike që është reflektuar në të gjitha sferat e jetës.

Kryetari Rexhepi, tha se është në dijeni të problemeve me të cilat përballet biznesi në Mitrovicë, ku shumë biznesmenë si pasojë e kushteve kanë ikur nëpër qytetet tjera të vendit. Ai theksoi se Komuna e Mitrovicës në kuadër të mundësive që ka do të përkrah dhe stimuloj bizneset e këtij qyteti, në mënyrë që të krijohen mundësi që ata të afarojnë suksesshëm.

Ai specifikoi se kjo ndodh në rastet kur komuna është bartëse e projektit, ndërsa në rastet tjera përgjegjëse janë donatorët apo institucionet qendrore, të cilat kryejnë procedurat dhe përzgjedhin përfituesit që realizojnë projektet.

Në anën tjetër, kryetari i OEK-së, Besim Beqaj, tha se është e nevojshme që të stimulohen dhe përkrahen bizneset në Mitrovicë në mënyrë që ata ta gjejnë vetën në tregun e këtushëm dhe mos të ikin prej këtu.

Beqaj theksoi se me qëllim të lehtësimit të kushteve për bizneset kosovare, është duke u punuar që të arrihet një marrëveshje me komunat që të harmonizohen politikat e taksave në nivel të vendit. /Telegrafi/