Telegrafi

Bajram Rexhepi niset për shërim jashtë vendit

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, në këto momente ka dalë nga QKUK-ja dhe pritet që menjëherë të niset për shërim jashtë vendit, ku do të dërgohet për shërim pas sulmeve në tru të pësuara para tetë ditësh.

Burime të Veriu.info nga QKUK-ja bëjnë të ditur se një ekip mjekësor në repartin Intensiv e ka përgatitur Rexhepin për rreth dy orë, në mënyrë që të bëhet transferi sa më adekuat për shërim jashtë vendit.

“Sigurimi i spitalit i ka nxjerrë jashtë të gjitha personat që ka qenë në korridoret e Intenzivës, ku personeli mjekësor tash e nisi transportimin e Bajram Rexhepit. Infermierët na treguan që ai do të dërgohet për shërim në Turqi”, ka bërë të ditur burimi i Veriu.info.

Lexo po ashtu Bajram Rexhepi në gjendje të rëndë shëndetësore

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i QKUK, Shpend Fazliu.

“Po, Bajram Rexhepi është nisur për Turqi”, ka thënë Fazliu.

Siç ishte bërë e ditur edhe nga zyrtarët e QKUK-së, ish kryeministri Rexhepi është në gjendje kome prej tetë ditësh.